Lajme

Fonde të pamjaftueshme për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje

Vepra artistike të realizuara nga të mbijetuarat e dhunës në familje në Qendrën për Mbrojtjen e Nënës dhe Fëmijëve në Prishtinë të cilat janë vënë për shitje.
Vepra artistike të realizuara nga të mbijetuarat e dhunës në familje në Qendrën për Mbrojtjen e Nënës dhe Fëmijëve në Prishtinë të cilat janë vënë për shitje.

Qeveria e Kosovës nuk ndan fonde të mjaftueshme për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, të cilat janë kryesisht gra me fëmijët e tyre, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Mungesa e një zgjidhjeje afatgjate për strehimin e viktimave të dhunës, sipas tyre, është problemi më i theksuar në trajtimin institucional të dhunës në familje në Kosovë.

Zotime për zgjidhjen e kësaj çështjeje ka, por se sa kanë nisur të zbatohen në praktikë, nuk është e qartë.

Në Kosovë funksionojnë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.

Për këto strehimore, nga buxheti i shtetit u ndanë 900 mijë euro në vitin 2023.

Për vitin 2024, sipas Projektligjit për buxhetin të publikuar nga Qeveria e Kosovës, parashihen 1.5 milion euro.

Të kënaqshme, por jo të mjaftueshme

Drejtoresha ekzekutive në Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, Jubilea Kabashi, thotë se mjetet financiare që Qeveria e Kosovës ndan për strehimoren e saj, janë të pamjaftueshme për të ndihmuar riintegrimin e viktimave në shoqëri.

“Sa u përket nevojave bazike të strehimit dhe rehabilitimit të viktimave të dhunës, mjetet që ndahen nga Qeveria janë të kënaqshme, ndërsa sa i përket riintegrimit, pas daljes nga strehimorja, do të ishte e mirëseardhur një përkrahje më e shtuar”, thotë Kabashi për Radion Evropa e Lirë.

Riintegrimi i viktimave të dhunës në familje që, përveç tjerash, nënkupton sigurimin e banimit, Kabashi thotë se është proces më i shtrenjtë dhe se, për këtë arsye, buxheti duhet rritur.

Strehimorja e saj, që gjatë këtij viti ka strehuar mbi 50 gra viktima të dhunës në familje, ka pasur në buxhet 69 mijë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Këto mjete, thotë Kabashi, i kanë plotësuar 80 për qind të nevojave që i ka pasur qendra – pjesa tjetër pastaj është mbuluar me ndihma që i ka ofruar Komuna e Prizrenit dhe donatorët.

Strehimoret janë vendbanime të përkohshme, ku viktimat mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj, por në rastet kur viktima nuk ka zgjidhje, ajo vazhdon të qëndrojë aty edhe pas gjashtë muajsh.

Kabashi tregon se një pjesë e viktimave të dhunës në familje, të strehuara në qendër, janë detyruar të kthehen përsëri në shtëpitë ku kanë pësuar dhunë nga bashkëshortët, ndërsa disa janë kthyer te familja e origjinës. Kjo, për arsye të kushteve të rënda ekonomike që kanë.

Sipas Kabashit, një numër fare i vogël i viktimave kanë kërkuar banim me qira, të cilin e kanë siguruar vetë me shumë vështirësi.

“Së voni, një familjeje 5-anëtarëshe ia kemi paguar qiranë, ne si qendër, për tre muaj, derisa të bëhet një zgjidhje afatgjate nga komuna apo dikush tjetër”, tregon Kabashi.

REL-i ka raportuar edhe vitin e kaluar për problemin e strehimit të sigurt të viktimave të dhunës në familje. Ai duket se vazhdon, edhe pse në letër ka zotime për zgjidhjen e tij.

“Strategji pa zbatim”

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka hartuar një strategji kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, e cila ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2022.

Kjo strategji parasheh zhvillimin e planit të banimit social trevjeçar në komuna dhe planifikimin e banimit social për viktimat e dhunës ndaj grave.

Për këtë qëllim, gjatë tre vjetëve është planifikuar ndarja e 120 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës dhe nga komunat.

Strategjia parasheh, po ashtu, krijimin e fondit për punësimin e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe lehtësira të tjera për punësim dhe vetëpunësim.

Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me zbatimin e kësaj strategjie dhe mundësinë e rritjes së fondeve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo strategji, në aspektin e zgjidhjes së banimit për viktimat e dhunës në familje, nuk është zbatuar.

“Strategjia është aprovuar vitin e kaluar, por ka shkuar shumë ngadalë. Është raportuar për aktivitete, por strategjia nuk ka qenë e buxhetuar – nuk ka fare buxhet. Për zgjidhjen e banimit social nuk është bërë asnjë hap, pasi që nuk ka fonde”, thotë Demolli.

Buxheti që ndahet nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, sipas saj, është vetëm për strehim të përkohshëm.

“Nëse shkohet në bazë të asaj çfarë kërkon Konventa e Stambollit, këto mjete që ndahen për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, janë qesharake”, thotë Demolli.

Në vitin 2020, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Konventën e Stambollit, një marrëveshje ndërkombëtare e Këshillit të Evropës, që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës në familje në përgjithësi.

Në Kosovë, si gjetkë në botë, janë duke u zhvilluar aktualisht 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Në kuadër të tyre, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se është duke u angazhuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për t’iu dhënë rasteve të dhunës përgjigjen e duhur institucionale.

“Për t’i adresuar nevojat e viktimave, kemi miratuar strategjinë për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Për t’i mbrojtur të drejtat e grave të mbijetuara nga dhuna, kemi mundësuar ndihmë juridike falas”, tha Haxhiu në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo tregoi për mbështetjen që u është ofruar strehimoreve të viktimave të dhunës në familje, por nuk foli për zbatimin e strategjisë sa i përket zgjidhjes së çështjes së banimit.

Javën e kaluar, Policia e Kosovës raportoi për vrasjen e një gruaje në afërsi të Prishtinës. Ndonëse motivet nuk janë ende të qarta, organizator i dyshuar i vrasjes së saj u emërua bashkëshorti i saj.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, deri më tash këtë vit, janë evidentuar katër gra të vrara.

Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit janë evidentuar 2.186 raste të dhunës në familje – prej të cilave viktima kanë qenë mbi 1.700 gra.

Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, kanë qenë 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra – katër prej tyre të vrara.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55. /REL

/Shqip.com