Lajme

Fjolla Ujkani i kërkon falje publike profesorit nga Vushtrria pas bullizimit

Deputetja e LVV-së, Fjolla Ujkani.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani i ka kërkuar falje profesorit nga Vushtrria, Lulzim Pacit, i cili u bë i njohur nga disa video në “TikTok” duke vallëzuar.

Ujkani ka shkruar se në karakterin e saj bullizimi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.

Lexo edhe:
Profesori nga Vushtrria shpërthen në lot gjatë intervistës, tregon si u bullizua për shkak të videove në “TikTok”

“E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkëqija ndaj meje”, ka shkruar ajo.

Tutje deputetja e LVV-së ka sqaruar se reagimi ka ardhur pasi që ka qenë ish-gjimnaziste e kësaj shkolle.

“Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër. Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste”, ka përfunduar ajo.

Ditë më parë, profesori i Biologjisë, Lulzim Paci, ka ndarë disa video në “TikTok” duke vallëzuar.

Ishte deputetja e LVV-së, Fjolla Ujkani ajo e cila kërkoi nga Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit që të marrin masa./SHQIP.com