Lajme

Fitoi gjyqin në Strasburg, KPA rikthen në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari

KPA ka vendosur sot rishikimin e vetingut për ish-prokuroren Antoneta Sevdari pasi kjo e fundit dërgoi çështjen e shkarkimit të saj në Strasburg dhe e fitoi.

Pas shqyrtimit KPA vendosi rikthimin në detyrë.Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”.

Pse u shkarkua nga Vetingu prokurorja Sevdari?

Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pa u bërë fillimisht një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.

Pasuria e bashkëshortit të saj solli edhe verdiktin final. Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi si të pamjaftueshëm justifikimin e pasurisë së saj dhe të bashkëshortit, i cili ka jetuar në Arabinë Saudite, burime që për një pjesë kanë shmangur tatimet.

Për sa i përket aftësive profesionale, Kolegji vendosi të mos nisë hetime për 10 denoncimet e ardhura ndaj saj, sepse nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme.

Kolegji vendosi se Sevdari “ka cenuar besimin e sistemit të drejtësisë”, duke ndryshuar në këtë mënyrë vendimin e një viti më parë të KPK-së.

Në muajin mars 2024, si asnjëherë tjetër që nga nisja e procesit të vetingut në drejtësi, Kolegji i Posaçëm i Apelit, vendosi të rishikojë një vendim të dhënë prej tij për përjashtimin e një prokurori nga sistemi.

Ndonëse vendimet e KPA janë të formës së prerë dhe të paankimueshme, në rastin prokurores Antoneta Sevdari, rishikimi i vendimit ishte një detyrë e caktuar shtetit shqiptar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Vendimi i Strasburgut, që i hapi rrugë rigjykimi të çështjes “Sevdari” në KPA, u shpall më dhjetor 2022. Gjykata Europiane tha se shkarkimi nga detyra i Sevdarit ishte disproporcional me problemet e vërejtura në pasurinë e siguruar nga bashkëshorti para martesës.

Në të njëjtin vendim, Strasburgu detyroi shtetin shqiptar të dëmshpërblejë Sevdarin dhe kompensojë shpenzimet gjyqësore në një total prej 24 600 euro.

/Shqip.com