Lajme

Fitim Uka i VV-së pritet ta lë postin e deputetit për UP-në

Fitim Uka

Fitim Uka aktualisht mban pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe atë të ligjëruesit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Por, ligji nuk ia lejon që t’i mbajë të dyja njëkohësisht.

Andaj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje për Shqip.com tha se pritet që ta dorëzojë postin që mban aktualisht në Kuvend.

“Me sa e di së shpejti do të hapen konkurset për avancim brenda UP-së ku unë i kam plotësuar kriteret moti për avancim, por si rezultat i angazhimit në politikë më kanë mbetur peng avancimi dhe kjo është arsyeja pse unë e konsideroj në rast se tash vjen sërish e njëjta mundësi unë do zgjedhi të shkoj në drejtim të universitetit”, tha Uka për Shqip.com.

Kuvendi i Kosovës

E largimi nga posti i deputeti, sipas Ukës mund të jetë çështje ditësh.

“Me sa unë kam dëgjuar, Universiteti i Prishtinës është duke përgatitur konkursin për avancim, kështu që mundet me qenë çështje muaji maksimalisht kjo ideja e tërheqjes”, tha më tej, deputeti i VV-së, Fitim Uka.

Uka kishte arritur të bëhet deputet për herë të parë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019-të.

Ndërsa edhe më 2021 kishte garuar për mandatin e tij të dytë në Kuvendin e Kosovës./Shqip.com