Kulturë Kino

Filmi “Gratë e Lirisë” rikthehet në kinema për nder të pavarësisë

Filmi dokumentar i prodhuar në vitin 2018 “Gratë e Lirisë”, për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të rikthehet në Kino Armata.

Filmi me regji të Lum Çitakut, është një dëshmi dhe kronologji e luftës, rezistencës dhe sakrificës së madhe të grave të Kosovës si pjesë kruciale e lëvizjes së shqiptarëve për liri e pavarësi.

Filmi fiton në peshë me rrëfimet e protagonisteve të shumta të lëvizjes politike të grave, veçmas për aktivitetet dhe organizimin e protestave në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë.

Në film janë përfshirë fragmente nga momentet më kritike të aktivitetit të grave që kulmuan me protesta të mëdha në vitet e luftës së armatosur në Kosovë më 1997- 1998, me fokus në protestën më masive të grave – Marshin për Drenicë me moton “Bukë për gratë dhe fëmijët e Drenicës”.

/Shqip.com