Lajme

Fillon kuvendi i Partisë Demokratike i thirrur nga Sali Berisha

Sali Berisha në Kuvendin Kombëtar.

Në stadiumin “Air Albania” ka filluar Kuvendi Kombëtar nga delegatët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike në Shqipëri, përcjell Shqip.com.

Me propozimin e ish-kryetarit të kësaj partie, Sali Berisha, të shtunën është mbledhur kuvendi kombëtar i PD-së, ku është paralajmëruar se do të ndryshohet statuti i partisë dhe do të shkarkohet kryetari aktual, Lulzim Basha.

Ndërkaq, në këtë tubim, sipas verifikimit elektronik, nga shtatë mijë e 500 delegatë që ka PD-ja, mbi katër mijë e kanë kaluar skanerin.

Kurse, para nisjes së kuvendit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar organizatorët e “Foltores” si dhe Berishën se nuk i kanë nënshkrimet e duhura për të thirrur Kuvendin.

Ai tha se për Kuvendin e 18 dhjetorit që është thirrur nga Kryesia, kanë konfirmuar pjesëmarrjen pesë mijë e 259 anëtarë, kurse një mijë e 146 kanë refuzuar.

Ndryshe, kjo fundjavë do të jetë shumë e nxehtë sa i përket situatës politikë në Shqipëri, pasi që partia më e madhe opozitare ndodhet në një moment përçarje të thellë.

Sali Berisha njoftoi se të shtunën duke filluar nga ora 10:00, do të zhvillohet një kuvend kombëtar, por që kryetari actual, Lulzim Basha dhe PD-ja e quajnë miting.

Ndërkohë, Berisha, mbrëmjen e së premtes ka bërë thirrje për ulje të toneve, dhe ka ftuar Bashën që t’i bashkohet aktivitetit dhe së bashku të rithemelojnë Partinë Demokratike.