Fillon funksionin Blloku 2 i termocentralit të KEK-ut (VIDEO)

Njësia prodhuese B2 e energjisë elektrike në termocentralin “Kosova B” është rikthyer në funksion orët e para të së dielës, përcjell Shqip.com.
Për rikthimin në funksion të kësaj njësie ka bërë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës përmes një videoje në Facebook.
Në këtë video shihen stafi i KEK-ut teksa testojnë rikthimin në funksion të kësaj njësie.
Kurse, punimet për këtë njësi kishin përfunduar të premten, ku zëdhënësi i KEDS-it, Skënder Bucolli kishte treguar për Shqip.com se ishin duke operuar me 3 njësi prodhuese në Termocentralin A dhe me një në Termocentralin B.
Ndërkaq, për ta kthyer në funksion këtë njësi prodhuese, KEK-u kishte angazhuar një ekspert gjerman, për të cilin ishin ndarë 250 mijë euro.
Kurse, si pasojë e mosprodhimit të rrymës nga kjo njësi, shteti kishte importuar 50 milionë euro më shumë energji elektrike.
Por, kthimin në funksion të B2-së më 20 janar, e kishte paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në KEK./SHQIP.com