Ferizaj, aksident komunikacioni me fatalitet

Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka ndodhur një aksident komunikacioni me fatalitet në Ferizaj, ku ishin të përfshirë një veturë me targa vendore dhe një biçikletë.
“Me datën 02.08.2023 rreth orës 13:50 kemi pranuar informatën se në rrugën “Riza Matoshi” në Ferizaj është një aksident komunikacioni, ku ishin të përfshirë një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte B.S ( F/K) e moshës 39 vjeçare dhe një biçikletë të cilën e drejtonte H.S ( M/K) i moshës 62 vjeçar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po sipas njoftimit, për pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore pëson ngasësi i biçikletës, të cilin për ndihmë mjekësore e dërgojnë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
“Fillimisht policët e rendit e më pas hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Aksidenteve i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe kanë dalë në vendin e aksidentit dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet”, thuhet tutje në njoftim.
E dyshuara ishte shoqëruar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Ndërsa, sot me datën 03.08.2023, rreth orës 02:00 nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës jemi njoftuar se ngasësi i biçikletës H.S ( M/K) i moshës 62 vjeçar, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në aksident komunikacioni, ka ndërruar jetë”, thuhet në fund të njoftimit.
Me vendim të prokurorit të rastit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa e dyshuara B.S vazhdon të mbahet në qendrën e ndalimit për procedura tjera hetimore.
/Shqip.com