Lajme

Federata Evropiane e Gazetarëve dënon sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës

Gazetarët raportojnë nga Veriu

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) i është bashkuar thirrjes së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për dënimin e sulmeve të dhunshme ndaj gazetarëve në veri, dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente të ofrojnë mbrojtje për ta.

Në pjesën veriore të Kosovës pati tensione gjatë së mërkurës, pasi Policia e Kosovës ndërmori një operacion kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

Lexo edhe:
Sulmet ndaj gazetarëve në veri, reagon AGK

Serbët lokalë në këtë komunë në shenjë pakënaqësie bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Disa gazetarë që mbulonin ngjarjen, si dhe qytetarë dhe oficerë policie, janë sulmuar nga protestuesit. 

Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.

Gjithashtu është raportuar edhe për shpërthime që tensionuan situatën në Veriun e Kosovës.

Aksioni më pastaj është zhvendosur edhe në Zveçan.

Gazetarë të tjerë që punonin për T7, Klan Kosova, RTV Dukagjini, ATV, Kanal 10 dhe BIRN u sulmuan dhe u penguan gjatë kryerjes së detyrave të tyre. 

Ekipi i BIRN-it raportoi se ata u ndoqën nga protestuesit dhe iu hodhën kokteje Molotov. 

Një video e transmetimit të drejtpërdrejtë të Kanal 10 tregon një pajisje shpërthyese të hedhur disa metra larg gazetares.

Gazetarja e Kanal 10, Albulena Rexha, duke raportuar live nga Veriu

Sipas raportimeve të mediave, disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare ishin shënjestruar gjithashtu në Mitrovicën Veriore. Gjithashtu u raportua se protestuesit ndoqën gazetarët me makina.

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, tha se “AGK-ja është e alarmuar me atë që kolegët tanë duhet të kalonin sot”.

Ai deklaroi: “Raportimi nga trazirat dhe tensionet në veri të Kosovës është gjithmonë i vështirë, por sot gazetarët dhe operatorët e mediave nga media në gjuhën shqipe dhe serbe u sulmuan dhe u bënë presion nga protestuesit vendas”. 

Tutje, Rexha shtoi: “Meqenëse jeta e tyre ishte vënë në rrezik gjatë kohës së raportimit, ne i bëmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës që t’i mbrojë ata. AJK është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar një mjedis të sigurt për gazetarët për të bërë punën e tyre”.

Sekretari i Përgjithshëm i EFJ, Ricardo Gutierrez tha: “Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë nga terreni për t’u siguruar qytetarëve informacion të besueshëm dhe të saktë mbi këto ngjarje”. 

“Është shqetësuese të mësosh se disa gazetarë duhej të largoheshin sepse ishin në shënjestër dhe kishin frikë për sigurinë e tyre. Ne i nxisim autoritetet të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i lejuar profesionistët e mediave të raportojnë në mënyrë të sigurt sa më afër ngjarjeve të jetë e mundur”./SHQIP.com