Fajon: Kosova ta formojë Asociacionin

Tanja Fajon, ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, ka thënë se duhet bërë gjithçka që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë.
Ajo në një intervistë për gazetën austriake, Der Standard, ka thënë se Kosova duhet të bëjë përpjekje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se shpreson që Kurti dhe Vuçiq do ta gjejnë një mënyrë “për ta kapur këtë moment”.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të dyja palët të ushtrojnë njëfarë përmbajtje. Ne duhet të bëjmë gjithçka që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Kosova me të vërtetë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar Asociacionin e komunitetit serb dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e popullit të komunitetit serb. Kur bëhet fjalë për propozimin e BE-së, e kuptoj se bëhet fjalë për vendime politike jashtëzakonisht të vështira me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj se si Beogradi ashtu edhe Prishtina, në krye me politikanët e tyre, do ta gjejnë një mënyrë për ta kapur këtë moment. Sepse është e vështirë të thuash se kur do të shfaqet një mundësi e re”, ka thënë Fajon.
Ajo tha se “këtë vit mund të bëhet një hap i madh përpara” edhe në kufizimin e ndikimit të Rusisë në Serbi.
Fajon nuk pati përgjigje të qartë pozitive në pyetjen nëse Sllovenia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne nuk e kundërshtojmë këtë. Por unë nuk mendoj se debati për këtë është në tavolinë tani. Nuk jam e sigurt nëse nuk është shtyrë, por nuk na shqetëson”, ka thënë Fajon. /Der Standard
/Shqip.com