Eurodeputetët i bashkohen protestës: Zëri i shqiptarëve do të dëgjohet në Bruksel
Protesta e 30-të radhazi para Kryeministrisë mori këtë të hënë edhe një dimension ndërkombëtar, pasi në mbështetje të protestuesve morën pjesë disa eurodeputetë, të cilët shprehën solidaritet me kauzën e qytetarëve shqiptarë dhe premtuan se kërkesat e tyre do të përcillen në institucionet e Bashkimit Evropian.
E para që mori fjalën ishte eurodeputetja gjermane Tineke Strik, e cila përgëzoi qytetarët për mobilizimin dhe i inkurajoi të vijojnë protestën në mbrojtje të demokracisë dhe lirive themelore.
“Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do të shprehet edhe në Bruksel. Do luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci”, deklaroi Strik.
Ajo theksoi se protestat tregojnë se qytetarët shqiptarë nuk pranojnë kufizimin e së drejtës së fjalës dhe kërkoi që qeverisja të dëgjojë zërin e qytetarëve.
“Kjo tregon se populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës dhe se qeverisja duhet të dëgjojë qytetarët dhe jo njerëzit e pasur”, u shpreh eurodeputetja.
Mbështetje për protestuesit shprehu edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila e përqendroi fjalën e saj te mbrojtja e mjedisit dhe respektimi i standardeve evropiane.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme dhe është kaq bukur t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamingot dhe kundër oligarkëve që duan të shkatërrojnë atë natyrë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do ta përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do të themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje”, deklaroi Paulus.
Sipas saj, nëse Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë ligjin dhe të dëgjojë qytetarët.
“Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do të bashkohet me Bashkimin Evropian, atëherë qeveria duhet të ndryshojë ligjin dhe të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe jo për të mirën e shqiptarëve”, tha ajo.
Në fund të fjalës së saj, Paulus bëri edhe një deklaratë që tërhoqi vëmendje, duke thënë se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama për të mos mbështetur një amendament në Parlamentin Evropian.
“Tineke e përmendi rezolutën duke kërkuar moratorium. Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament, sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu. Vijoni betejën tuaj, do të bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre”, deklaroi eurodeputetja.
Në protestë mori pjesë edhe eurodeputetja greke Vula Tsetsi, e cila tha se protesta 30-ditore ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të Bashkimit Evropian, por edhe më gjerë.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë. Shqipëria nuk është në shitje. Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj dhe zgjerimin në BE”, u shpreh ajo.
Tsetsi deklaroi se procesi i integrimit evropian nuk mund të ecë përpara nëse nuk respektohet zëri i qytetarëve.
“Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. Duam që Komisioni Evropian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë”, tha eurodeputetja.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo u bëri thirrje edhe socialdemokratëve evropianë të reagojnë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“Duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë, sepse Rama është me socialdemokratët. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje, jo vetëm për demokracinë, por për ju dhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE”, përfundoi Tsetsi.
Mbështetjes së eurodeputetëve për protestuesit para Kryeministrisë iu bashkua edhe eurodeputetja Anna Strolenberg, e cila deklaroi se kauza e qytetarëve shqiptarë është e lidhur ngushtë me vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Në fjalën e saj, Strolenberg vlerësoi mobilizimin e protestuesve dhe theksoi se mbrojtja e natyrës, lufta kundër korrupsionit dhe kërkesa për transparencë e demokraci janë parime që përputhen me standardet evropiane.
“Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë!”, deklaroi eurodeputetja.
Në fund të fjalës së saj, Strolenberg iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve dhe të ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë, kërkesat janë të qarta: mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!”, u shpreh eurodeputetja.
Eurodeputetja italiane Christina Guarda iu bashkua po ashtu protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku shprehu mbështetjen e saj për qytetarët shqiptarë dhe vlerësoi angazhimin e tyre në mbrojtje të natyrës, të drejtave dhe demokracisë.
Në fjalën e saj, Guarda falënderoi protestuesit, duke thënë se ata i kanë dhënë një shembull Evropës për mbrojtjen e tokës dhe të drejtave themelore.
“Na keni mësuar kaq shumë, na keni mësuar të mbrojmë tokën, e të jetuarit mirë në tokën tonë, na keni mësuar bukurinë e të mbrojturit të drejtat tona, të drejtën njerëzore, të mos konsumohemi nga politika e korruptuar”, u shpreh eurodeputetja.
Ajo falënderoi gjithashtu diasporën shqiptare në Itali dhe në vende të tjera të Evropës për mbështetjen që, sipas saj, po i jep protestës.
“Dua t’ju falënderoj ju dhe diasporën shqiptare në Itali. Faleminderit diasporës në të gjithë Evropën që po proteston për ju”, tha Guarda.
Në vijim të fjalës së saj, eurodeputetja iu referua një episodi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke deklaruar se integrimi evropian nuk arrihet përmes nënshtrimit, por duke respektuar dinjitetin e vendit.
“Kam një imazh, kryeministrin duke iu përulur kryeministres sime. Nuk hyhet në Evropë duke u përulur, duke i shërbyer askujt. Hyhet me kokën lart, duke e ditur se e meriton. Jam me ju, Shqipëri”, deklaroi Guarda.
/Shqip.com