Lajme

EULEX-i për 13 vjet përfundoi 692 operacione e 188 zhvarrime në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka treguar që kanë kryer 692 operacione për gjetjen e të zhdukurve në Kosovë.

Operacionet ishin realizuar që prej vitit 2009 dhe kishin përfshirë 188 zhvarrime.

“Hedhja e dritës mbi fatin e personave të zhdukur është një detyrim i vazhdueshëm; që nga viti 2009, Misioni ka kryer gjithsej 692 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 188 zhvarrime. Eshtrat e 480 individëve janë identifikuar, duke përfshirë 332 persona të zhdukur.”, thuhet në deklarimin zyrtar të EULEX-it, përmes një komunikate për media.

EULEX në Kosovë – Selia

EULEX thekson se për të bërë më të vështirë kërkimin e personave të zhdukur dhe për të fshehur provat e këtyre krimeve, autorët kanë fshehur kufomat në varre të vogla, klandestine, apo edhe në varreza. 

Tutje bëhet e ditur se  nga varrezat myslimane në Mitrovicën e veriut janë zhvarrosur 89 mbetje mortore, ato ortodokse në Prishtinë, 81 mbetje mortore, në varrezat e Prizrenit  janë zhvarrosur 77, në Shirokë, 59 dhe ato myslimane në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, 49 mbetje mortore.

Në komunikatë bëhet e ditur se aktualisht ekspertët e EULEX-it janë po ashtu duke punuar me autoritetet e Kosovës për rishikimin e të gjitha mbetjeve mortore njerëzore, që janë të ruajtura në morgun e Prishtinës, si dhe të dosjeve të ndërlidhura./Shqip.com