Eskalon gjuha e Metës: Rama t’i gjejë vendin vulës së PD-së dhe ta fusë ku i shijon më shumë

Një ditë pasi Gjykata e Apelit i dha vulën e Partisë Demokratike grupit të Enklejd Alibeajt, kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama.
I ndalur tek vendimi për vulën e PD-së, në një takim me qytetarë, Meta tha se ‘Rama t’i gjejë vendin ku ta fusë’, duke iu referuar vulës së PD-së.
Gjithashtu theksoi se qytetarët duhet të jenë bashkë në 14 maj për të sjellë ndryshimin që i duhet vendit.
“Asnjë shqetësim për vulën. Edi t’i gjejë vendin dhe ta fusë ku i shijon më shumë!”, tha ai.
Më herët gjatë ditës ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke treguar hapin e radhës që do të ndërmarrë.
Ai ka pohuar se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare.
“Do diskutojmë në mbledhje e forume. Duhet t’ju njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. Njerëzit mund të habiten si ta dërgojmë tek Sadushi. Do të kërkojmë përjashtimin e tij nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër se aty është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare”, ka thënë Berisha.
/Shqip.com