Lajme

Erion Veliaj del pas 8 orësh nga SPAK: Isha si bashkëpunëtor. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka përfudnuar dëshminë e tij për incineratorin e Tiranës. Këtë e konfirmoi vetë për medit Veliaj. Kryebashkiaku tha për gazetarët se dëshmia e tij ka ezauruar çështjen e inceneratorëve.

”Isha këtu si bashkëpunëtor. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve. Sigurisht që u thanë edhe disa detaje të tjera. Kolegët hetues më kërkuan që disa detaje të mos bëhen publike për gazetarët për shkak të sekretit hetimor. Armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar”, tha Veliaj.

Thirrja në SPAK

Ashtu siç ishte bërë me dije prej ditësh, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Dy janë çështjet për të cilat Veliaj mund të ketë marrë fletëthirrje nga SPAK: ajo mbi çështjen e Inceneratorit të Tiranës dhe hetimet e dosjes së korrupsionit përmes kompanisë “5D”, e cila ka kulmuar me arrestimin e njerëzve të të gjithë komandës drejtuese të Bashkisë Tiranë me rreth 9 drejtorë dhe disa zyrtarë të tjerë.

Lidhur me këtë çështje Veliaj është thirrur të dëshmojë më herët, por paraqitja e tij para prokurorëve të posaçëm u shty për arsye shëndetësore të kryebashkiakut.

Në një dalje të tij për mediat Veliaj ka thënë se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.

Ndërkaq pasditen e sotme pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, ku opozita ka kërkuar që në rend të ditës të jenë si çështja e inceneratorëve, ashtu edhe ajo e dosjes “5D”.

Opozita ka akuzar gjatë këtyre javëve se prokurorët e SPAK-ut kanë mundur të sigurojnë fakte dhe prova, të cilat implikojnë edhe kryebashkiakun, Erion Veliaj, në, jo vetëm për faktin se ai ka qenë një person në dijeni të gjithçkaje ka ndodhur, por dyshohet edhe për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.

Ndërkaq mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të shoqërohet me një protestë në sheshin para Bashkisë së Tiranës, ku ashtu siç ka ndodhur dhe në protestat e mëparshme, edhe sot pritet të ketë tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë që do të rrethojnë godinën e bashkisë.

/Shqip.com