Ekzekutohen shtesat për fëmijë, 86 mijë përfitues

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar për ekzekutimin e një pjese të pagesës së shtesave për fëmijët, njofton Shqip.com.
Siç bëri të ditur ai, të premten e 5 nëntorit është ekzekutuar pagesa e këtyre shtesave për rreth 86 mijë përfitues, për muajin tetor.
Kështu njoftoi ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku tha se me zgjerimin e masës së këtyre shtesave, ka pasur një fluks të madh të aplikimeve për të përfituar nga kjo masë.

“Pas zgjerimit të masës për shtesat e fëmijëve, kemi pasur një fluks enorm aplikimesh. Dhe sot më në fund, pas validimeve të nevojshme, është ekzekutuar pagesa e shtesave për fëmijë, për rreth 86 mijë përfitues, për muajin tetor”, njoftoi Murati.
Më 15 tetor, Murati kishte njoftuar për vendimin e marrë që prej këtij muaji të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e këtej.
“Pas pilotimit me sukses të masës së shtesave për fëmijë, kemi vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim. Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK”, thuhet në njoftimin e Muratit në “Facebook”. /Shqip.com