Lajme

E shkruan ‘Alush’ në vend të ‘Arsim’, LDK-së i refuzohet ankesa për posterin e kandidatit të LVV-së në Viti

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti, kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Arsim Ademi, se ky i fundit ka vendosur një baner në afërsi prej 20 metrash nga Qendra e Votimit përcjell Shqip.com.

Sipas arsyetimit të PZAP-it, LVV i është përgjigjur ankesës së LDK-së duke thënë se në ankesë, emri i kandidatit është shkruar “Alush”, e jo “Arsim”, siç edhe është emri i tij.

Arsyetimi i PZAP-it.

“Në përgjigjen në ankesë të datës 17.10,2021, subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje thekson se ankesa është e pabazuar për faktin se e njëjta nuk dëshmon se për cilën qendër të votimit bëhet fjalë dhe se në cilin fshat apo lagje ka ndodhur shkelja.

Edhe sikur të ishin të sqaruara këto rrethana, parashtruesi i ankesës ka dështuar të dëshmoj se në cilën datë dhe në çfarë kohe ka ndodhur kjo. Po ashtu Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka asnjë kandidat për kryetar komune me emrin Alush Ademi”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

Po ashtu, sipas PZAP-it, LDK nuk ka arritur që pretendimet e bëra në ankesë t’i mbështesë ato të prova të mjaftueshme që do të dëshmonin se janë të bazuara.

Lexo edhe:
Njëri nga kandidatët në Viti thyen heshtjen zgjedhore, vendos baner në afërsi të qendrës së votimit

“Paneli pas vlerësimit të ankesës,dhe provave të bashkëngjitura, në ankesë të cituar më lartë, si dhe përgjigjes në ankesë dhe provave të bashkangjitura, në të, erdhi në përfundim se ankesa e subjektit politikë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndaj subjektit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur përshkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes së subjekteve politike, është e pabazuar.

Në rastin konkret subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës pretendimet e bëra në ankesë nuk ka arritur të i mbështesë në prova të mjaftueshme, që do të dëshmonin se pretendimet e tyre janë të bazuara. Në ankesën e tyre si provë, kanë bashkangjitur fotografi të printuara, por të njëjtat nuk dëshmojnë se përcilën shkollë apo vendvotim bëhet fjalë, në cilin vend është vendvotimi, as në cilën kohë është vendosur posteri”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e PZAP-it.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale që janë mbajtur të dielën, më 17 tetor, në Komunën e Vitisë, fitues ka dalë Sokol Haliti i LDK-së me 41.78 për qind të votave.

I dyti ka dalë Arsim Ademi i LVV-së me 34.85 për qind, dhe i treti, Bekim Azizi i Partisë Demokratike të Kosovës me 23.37 për qind./SHQIP.com