Lajme

E rëndë / Vrau vëllain, i akuzuari dënohet me 17 vjet burgim

Grilat në një qeli burgu. Fotografi ilustruese
Grilat në një qeli burgu. Fotografi ilustruese

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Millorad Shubariq, duke e dënuar me 17 vjet burgim për vrasjen e vëllait D.Sh.

Shubariq u dënua për veprën penale “Vrasje e rëndë në aftësi esencialisht të zvogëluar mendore”, pasi më 7 maj të vitit 2022 për shkak të mosmarrëveshjeve kishte privuar nga jeta vëllain e tij tani të ndjerin D.Sh.

Aktgjykimi ndaj Shubariq u shpall të enjten nga gjykatësja Alltën Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

Sipas aktakuzës të datës 13 prill 2023, i akuzuari Millorad Shubariq me nofkën “Miqa” i cili gjendet në paraburgim, akuzohet se me datën më 7 maj 2022 rreth orës 15:30 minuta, në fshatin Gushtericë e Ultë, Komuna e Lipjanit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit D.Sh., dhe zënkave disa vjeçare rreth pronës-shtëpisë së përbashket të vëllezërve- të pandehurit Millorad Shubariq dhe D.Sh., derisa tani i ndjeri D.Sh., ishte duke punuar me kosë para shtëpisë së tij në oborrin e përbashkët me të pandehurin, ndërsa i pandehuri Millorad Shubariq ishte duke konsumuar birra, mes tyre ka filluar një fjalosje dhe kacafytje ku i pandehuri Millorad Shubariq ka hyrë në dhomën e tij ku ka marrë armën e tij zyrtare të tipit “Glock”, pastaj ka shkuar te shtëpia e tani të ndjerit dhe me dashje ka shtënë me armë tetë herë në drejtim të tij dhe e ka qëlluar, ku si pasojë e plagëve tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i pandehuri sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 175. paragrafi 1. nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të KPRK-së.

/Shqip.com