Lajme

E ftoi në samitin e “Ballkanit të Hapur”, Kurti i përgjigjet negativisht homologut maqedonas Kovaçevski

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë ftesë nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, ku dhe është përgjigjur negativisht duke i treguar dhe arsyet e refuzimit.

Kurti përmes një letre drejtuar Kovaçevskit, i ka thënë që Serbia kërkon trajtim të pabarabartë të qytetarëve të Kosovës.

“Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”, thuhet tutje në letër.

Në këtë letër, Albin Kurti ka thënë se është në interesin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që të punojnë së bashku për parandalimin e Serbisë që të promovoj interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë.

“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti

Sipas tij, Kosova e mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtar.

Po ashtu ai theksoi se Kosova dhe  Maqedonia ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirate ta përbashkëta për anëtarësimin në BE. Po ashtu këto dy vende i cilësoi si mjedis politik ku opozita nuk heshtë por flet.

“Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Këtë e ka cilësuar si arsye që kanë ndërmarrë reforma për luftimin e korrupsionit dhe kanë promovuar sundimin e ligjit. Po ashtu, u cek se këto vende vendosen sanksione kundër Rusisë pavarësisht vështirësive ekonomike.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike”.

Sipas Kurtit, këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operohet me rregullat e dhe vlerat e BE-së dhe nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë/Shqip.com