Lajme

Dyshohet se varianti i ri i COVID-19 është prezent në Shqipëri, do të dërgohen mostra jashtë vendit

COVID-19 në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se Instituti i Shëndetit Publik do të dërgojë mostrat për analizim jashtë vendit për të parë se a është prezent varianti i ri i COVID-19 “Omicron”, përcjell Shqip.com.

Manastirliu, nga stadiumi “Air Albania”, ka deklaruar se janë duke rishikuar masat anti-COVID’19, teksa ka bërë thirrje për vaksinim.

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri.

“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne.

Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid-19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, “Omicron” mendohet që e ka një transmetueshmëri më të lartë sesa “Delta”.

“Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet. Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda”, shtoi Manastirliu./SHQIP.com