Lajme

Dy investime strategjike për FSK-në në Gjakovë, së shpejti nis shpronësimi i pronave

Miliona euro do të përdorën për shpronësimet në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës, të cilat tash e tutje do të përdorën nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në të parën do të ndërtohen poligone taktike për shërbim të ushtarëve të FSK-së, e që pritet të jetë me standarde të NATO-s dhe SHBA-së.

Kështu ka deklaruar, Armend Mehaj në një konferencë për media së bashku me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri Mehaj tha se për ndërtimi i poligoneve do të bëhet edhe në bashkëpunim me partnerët strategjik, NATO-n dhe ShBA-në, ndërsa do të jetë në dispozicion edhe për ushtarët paqeruajtës në Kosovë.

“Kjo formë e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive tregon, që mundëson integrimin sa më të shpejtë në NATO. Synim i joni është rritja e kapaciteteve të FSK, andaj këto dy investime do të jenë në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik. Kjo garanton që forca jonë do të ketë të gjitha kapacitetet për të kryer ushtrime te saja. Poligone taktike në Babaj të Bokës do të ndërtohen sipas standardëve të NATO-s dhe SHBA-së. Këto poligone taktike nuk do të jenë në dispozicion vetëm për ne por edhe për partnerët tanë strategjikë”, tha Mehaj.

Ndërkohë, ministri Aliu tregoi se “për ne ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punojmë që sa më shpejtë të realizojmë detyrat në fushën e shpronësimit dhe kadastrës”.

“Kemi arritur gjatë vitit 2022 t’i kryejmë me sukses procedurat e shpronësimit për dy projekte të ministrisë së Mbrojtjes. Qeveria e Kosovës i ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim”, u shpreh ai.

/Shqip.com