Lajme

Durmishi kërkon zbritjen e çmimit të biletave në relacionin Gjilan-Prishtinë

Kompanitë e autobusëve kishin shtrenjtuar biletat e udhëtimit në relacionin Gjilan-Prishtinë dhe anasjelltas para ngritjes së çmimeve të karburanteve. 

Një biletë në këtë relacion kushtonte 2 euro kurse çmimi aktual është 2 euro e 50 cent.

Studentët në të kaluarën paguanin një biletë të udhëtimit 1 euro e 50 cent ndërkaq tani ata duhet të paguajnë 2 euro.

Mirëpo Ministria e Infrastrukturës dhe Shoqata e Transportuesve kanë arritur një marrëveshje ku janë pajtuar që çmimet duhet të kthehen në gjendjen e mëparshme.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një përgjigje për Shqip.com ka deklaruar se ata janë të përkushtuar që të mbrojnë kategori të caktuara siç janë studentët, fëmijët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.

Thotë se edhe kompanitë e autobusëve në relacionin Gjilan-Prishtinë duhet të zbresin çmimin për studentët ose në të kundërtën do të shqiptohen gjoba.   

“Ata janë zotuar publikisht që do i kthejnë çmimet siç ka qenë në të kaluarën për këto kategori. Ne kemi Inspektoratin dhe dalin inspektorët i kontrollojnë dhe nëse ata nuk i respektojnë ato për të cilat jemi dakorduar atëherë shqiptohen gjobat”

“Poashtu ne trajtojmë edhe ankesat të cilat i marrim nga disa kategori. Ata mund t’i lëvizin çmimet në përgjithësi mirëpo nuk mund t’i lëvizin për këto kategori duke përfshirë studentët”. ka thënë Durmishi.

Kurse nga Shoqata e Transportuesve “Anamorava” në Gjilan thonë se ende nuk kanë diskutuar me kompanitë për të zbritur çmimin e biletave në relacionin Gjilan-Prishtinë. 

Arsyetohen se rritja e çmimit të biletave ka ndodhur për shkak të pandemisë. 

Kryetari i shoqatës së transportuesve, Rexhep Sejdiu deklaron se çmimi i biletave do të zbritet gradualisht.

“Gjithçka çfarë është arritur në atë marrëveshje duhet të respektohet. Kompanitë kanë bërë një ngritje të lehtë të çmimit të biletave dhe kjo ka ndodhur para se të fillonin këto problemet me Ministrinë”

“Rritja ka ndodhur për shkak të pandemisë sepse kemi pasur shpenzime dhe tërë këto kanë ndikuar. Por besoj që me stabilizimin e situatës do të ulet edhe çmimi i biletave.  Do të bisedojmë edhe me kompanitë për këtë”, është shprehur ai.

Ndërkaq Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve ka deklaruar se marrëveshja e arritur me Ministrinë e Infrastrukturës do të respektohet.

Ai ka thënë se në rastin e Gjilanit këto çmime janë rritur më herët.

“Qytetarët munden me ngrit lloj lloj çështje mirëpo e vërteta është se ne nuk kemi ngritur çmimet. Në Gjilan janë ngritur tash e disa muaj dhe kjo ngritje nuk ka pasur të bëjë me derivatet e naftës”, është shprehur ai. /Shqip.com