“Duhet të avancojmë”, kancelari gjerman u jep shpresë vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një fjalimi të mbajtur të shtunën në Konferencën e Mynihut, ka dhënë shpresa sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Scholz ka thënë se kur flet për Unionin Evropian ka parasysh edhe vendet e Ballkanit, të cilat akoma nuk janë pjesë e kësaj bashkësie, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara.
“Ne evropianët mund të ruajmë aftësinë tonë për të vepruar në mënyrë efektive, për të marrë vendime autonome, vetëm nëse bashkojmë vullnetin dhe aftësitë tona brenda Bashkimit Evropian”.
“Dhe, ra fjala, kur flas për BE-në, kam parasysh edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk mjafton të përmendet perspektiva e zgjerimit të këtij rajoni si synim strategjik. Atë duhet ta avancojmë në mënyrë aktive”, ka thënë kancelari gjerman në fjalimin e tij.
Mes tjerash, është shprehur i lumtur që disa përfaqësues të vendeve të rajonit ishin pjesë e konferencës, pasi siç ka thënë “kjo detyrë është e përbashkët”.
“Bashkimi Evropian është korniza jonë e veprimit – mundësia jonë për të mbetur një “pushtet midis fuqive”, kjo është ajo që nënkuptojmë kur flasim për “sovranitetin evropian”.
Në rrugën për ta arritur këtë, na duhen tre gjëra: Së pari, vullneti për të vepruar si një “pushtet mes fuqive”. Së dyti, qëllimet e përbashkëta strategjike. Dhe së treti, aftësitë për të përmbushur këto synime”, është shprehur Scholz.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) po marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, të dy liderët pritet të zhvillojnë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare./SHQIP.com