Lajme

Dugolli për kërcënimin e Kurtit: U zbulua nga rrugët operative, nuk lidhet me rrjete sociale

Shtëpia ku banon Albin Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh nënkryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë, Enver Dugolli, ka mohuar raportimet në media se kërcënimi i kryeministrit Albin Kurti lidhet me disa shkrime në rrjetin social Facebook.

Ka bërë të ditur se informata për kërcënim është zbuluar nga rrugët operative të organeve të shtetit”.

Më tej, ka deklaruar se nuk kanë informacione se kush e ka kërcënuar kryeministrin dhe se organet e rendit po e bëjnë punën e tyre.

“Nuk kemi ndonjë informacion për shkak se këto janë informacione që iu takojnë organeve të sigurisë të cilat besoj se janë në krye të detyrës”, ka thënë Dugolli në Klan Kosova.

“Kryeministri është mirë dhe po i kryen detyrat e veta, gjithashtu edhe organet e rendit po e kryejnë punën e tyre. Është çështje që po trajtohet dhe organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e identifikimit, verifikimit dhe hetimit të saktë të asaj që ka ndodhur”.

Ai nuk ka komentuar largimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të cilët ishin duke qëndruar në afërsi të shtëpisë së Kurtit duke thënë se “kjo është thjesht çështje operative”.

Lexo edhe:
Kërcënohet kryeministri Kurti, Njësitet Speciale po kujdesen për sigurinë e tij

“Unë këtu nuk do të lëshohesha në vlerësimin e kësaj situate më shumë për shkak se e kanë për detyrë të sigurojnë kryeministrin dhe qetësinë dhe të marrin hapat e duhur që të mos vijë deri te më e keqja”.

“Sigurisht se kanë vlerësuar që për një kohë të caktuar të jenë derisa më pas sigurisht kanë ndërruar formën e vëzhgimit dhe monitorimit. Krejt këto janë çështje operative që i takojnë policisë”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvednsoje, Enver Dugolli

Shqip.com të mërkurën mbrëma ka raportuar se në grupin “Shes blej gjithçka” në rrjetin social Facebook, një person “ka ofruar” 35 mijë për “kokën” e kryeministrit Kurti.

Postimi është fshirë nga platforma, pasi është vënë në pah nga organet e sigurisë.

Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.

Kërcënimi ndaj të parit të Qeverisë është konfirmuar edhe nga Përparim Kryeziu, zëdhënës i ekzekutivit.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, por ka thënë se “kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”.

Ky është kërcënimi i parë ndaj Kurtit i bërë publik që nga marsi kur e mori detyrën në Qeveri.

Por, Kurti më parë ishte kërcënuar edhe si opozitar.

Në dhjetor të vitit 2019 përmes një postimi në Facebook e kishte kërcënuar zyrtari atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti.

Për të ka pasur edhe proces gjyqësor./SHQIP.com