Lajme

Drejtori i SHSKUK-së: Lista e pritjes do të reduktohet për 50 për qind

Valbon Krasniqi - drejtor i SHSKUK-së

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se janë duke punuar për ta reduktuar listen e pritjes deri në 50 për qind.

Sipas tij, kjo do të ndodh gjatë këtij viti.

“Ne jemi duke i adresuar me seriozitet listat e pritjes gjatë këtij viti dhe një nga objektivat kryesore është të reduktojmë këtë listë të pritjeve brenda këtij viti në masën 50%”, tha Krasniqi.

Krasniqi, po ashtu foli edhe për përzgjedhjen e drejtorëve të ri të klinikave të QKUK-së.

“Përzgjedhja e drejtorëve është e rregulluar me ligjet në fuqi, rregulloret e brendshme. Është çështja e komisioneve që bëjnë përzgjedhjen. Mbetet të shihet dhe gjatë muajve do të shohim sa do të arrijnë t’i realizojnë objektivat e tyre. Një nga objektivat kryesore gjatë vitit të kaluar përveç menaxhimit të pandemisë Covid ka qenë edhe furnizimi me barna dhe material shpenzues mjekësor”, tha Krasniqi.

Ndërsa, thotë se vitin e kaluar furnizimi me barna ka qenë i qëndrueshëm në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale.

Ilustrim

Derisa pranoi se nuk i përmbushin nevojat 100 për qind dhe kjo për shkak të buxhetit e procedurave për lidhjen e kontratave.

“Viti 2021 ka shënuar vitin me furnizimin më të qëndrueshëm stabil dhe sasi më të mëdha të barnave për të gjitha klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Normalisht ne asnjëherë nuk kemi thënë se mund të arrijmë t’i sigurojmë 100% barnat për shkak të kufizimeve qoftë në buxhet qoftë të procedurave për lidhjen e kontratave”, u shpreh Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi përmendi edhe disa shërbime për të cilat thotë se janë kryer për herë të parë në QKUK.

“Vitin e kaluar kemi filluar me një sërë shërbimesh për herë të parë duke specifikuar bradikardinë, rekonstruksionin plastik të gjirit. Poashtu kemi filluar të funksionalizojmë edhe Spitalin Pediatrik që ofron kushte të mira. Janë funksionalizuar ambulancat e Emergjencës, e Kirurgjisë Pediatrike, reparti i Kirurgjisë ndërkohë ka mbetur pa u transferuar Neanatologjisë Intensive”, u shpreh Krasniqi./Shqip.com