Lajme

Drejtori i shkollës: Ëmbla Ademi tash ka edhe asistent personal

Ëmbla Ademi

Nxënësja e klasës së katërt me Sindromën Down, Ëmbla Ademi, nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut i është kthyer sërish procesit mësimor.

Drejtori i shkollës fillore “Bashkimi”, Ziadin Nuredini për Shqip.com e konfirmoi se nxënësja do të vazhdojë procesin mësimor pa rotacion.

“Kemi rënë dakord me të gjithë prindërit që vajza të vazhdojë mësimin në të njëjtën klasë pa rotacion”, tha Nuredini.

Ndër tjerash, Nuredini tha se Ëmblës i është siguruar edhe asistent personal.

“Shkolla ka pedagog, psikolog, defektolog dhe plus me kërkesën e fundit e ka edhe asistentin personal. Ëmbla tash e ka edhe asistentin e saj personal”- përfundon Nuredini.

Ëmbla Ademi në shkollën “Bashkimi” në Gostivar

Nxënësja e kishte ndërprerë mësimin pasi prindërit e nxënësve që ishin në klasën e saj kishin bërë peticion që Ëmbla të largohet nga klasa, pasi sipas tyre, ajo ka shfaqur shenja agresiviteti tek nxënësit e tjerë.

“Për shkaqe të pengesës nga nxënësja Ëmbla Ademi në orët mësimore dhe për shkaqe të agresiviteteve, kemi sjellë vendim nga ana e prindërve që të bojkotohet mësimi nga ana e nxënësve të rregullt”, thuhet në peticionin e nisur nga prindërit.

Ndaj këtij rasti, ka reaguar edhe ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri.

“Nxënësja e klasës së katërt Ëmbla Ademi nga Gostivari nuk e ka ndjerë gëzimin e kthimit në shkollë në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, sepse, fatkeqsisht në shoqërinë tonë akoma ka stereotipe dhe paragjykime për personat me nevoja të veçanta”- kishte shkruar Shaqiri në Facebook.

Ndërsa, është shprehur i lumtur që nxënësja sërish është kthyer në klasë derisa e ka quajtur “fitore e shoqërisë dhe e vlerave të vërteta njerëzore”.

Shaqiri ka uruar që një situatë e njëjtë të mos ndodh më./Shqip.com