Drejtori i QKMF-së në Prizren u kërkon falje qytetarëve që pritën gjatë për t’u vaksinuar

Në qendrën e vaksinimit në Prizren, sallën “Rexhai Surroi” këtë të premte nuk u zhvillua me rregull vaksinimi i qytetarëve ndaj COVID-19, për shkak të këputjes së disa kabllove elektrike nëntokësore gjatë punimeve afër objektit.
Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Xhevat Elezkurtaj, u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve që pa fajin e tyre pritën disa orë për t’u vaksinuar.
Ai ka thënë së “ edhe pse jemi më të mirët në nivel vendi , edhe ne jemi në Kosovë”.
“Ekipet tona të vaksinimit sot u detyruan të mos punojnë disa orë për shkak te defekteve të rrymës elektrike në sallën sportive “Sezair Surroi”, si pasojë e këputjes se kabllës elektrike nëntokësore gjatë punimeve aty afër objektit. Kërkojmë ndjesë për të gjithë ata njerëz që pa fajin e tyre pritën disa orë për tu vaksinuar. Edhe pse jemi më të mirët me shërbimet tona shëndetësore ne nivel vendi EDHE NE JEMI KOSOVE” ka thënë Elezkurtaj.
Në anën tjetër, KEDS gjatë ditës ka njoftuar për ndërprerjen e energjisë elektrike në këtë sallë të vaksinimit.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se kjo ka ndodhur për shkak se kabllot nëntokësore janë dëmtuar nga një kontraktor i Komunës së Prizrenit.
KEDS-i thotë se ekipet e saj kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, e kanë hapur gropën dhe janë duke e sanuar problemin.
“KEDS kërkon nga të gjitha palët punëkryese të jenë më të përgjegjshëm, të marrin hartat paraprakisht të shtrirjes së rrjetit nëntokësor aty ku intervenojnë në infrastrukturë, sidomos në qytete, pasi kjo po afekton qytetarët”, thuhet në njoftim.
Sipas KEDS-it, paraqitja e rasteve të tilla është e papranueshme, “pasi nga veprimet e atyre kontraktorëve është penguar direkt procesi i vaksinimit të popullatës, që është jetik në këto ditë”.
“KEDS kërkon nga të gjitha institucionet që të bëjnë mbikëqyrje më të rreptë të kontraktorëve të tyre në mënyrë që këto raste të mos ndodhin më”.
“Energjia elektrike do t’i kthehet qendrës në kohën më të shkurtër të mundshme”./SHQIP.com