Drejtoresha e Transparency International tregon arsyet pse Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit

Drejtoresha e departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në organizatën Transparency International, Lidija Prokiç, ka përmendur disa nga arsyet që mund të kenë ndikuar që Kosova të shënojë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit.
Kosova ka marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga Transparency International.
Këtë vit ajo është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.
Sipas Prokiç, rol në këtë ka pasur dorëzimi paqësor i pushtetit në dy zgjedhjet e zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër.
Po ashtu, ajo përmend faktin që Kosova ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku parlamenti mbeti tërësisht funksional gjatë pandemisë.
“Kosova ka bërë përparim pas shumë vitesh qëndrimi në vend ose përkeqësimi. Tani ajo është ngjitur me tre pikë në indeks, pra, ka 38 pikë”, ka deklaruar Prokiç për DW.
“Mendojmë se ka luajtur rol pozitiv përmirësimi në fushën e demokracisë, pra, fakti që Kosova ka pasur një dorëzim paqësor të pushtetit në dy zgjedhje të zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër. Një tjetër element shumë pozitiv në rastin e Kosovës ishte fakti që Kosova ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku parlamenti mbeti tërësisht funksional gjatë pandemisë”.
“Është e rëndësishme që institucionet ta ruajnë pavarësinë edhe në kohë krize. Kosova e rriti në këtë mënyrë besimin e popullit në vendimet e marra në krizën e pandemisë”.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.
Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Sa i përket Shqipërisë, ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit. Ajo ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.
Ndërsa, përparim ka shënuar Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.
Serbia nuk ka ndërruar pozitë krahasuar me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.
Sipas këtij raporti, në vitin 2021 mesatarja globale mbetet e pandryshuar për të dhjetin vit radhazi, në vetëm 43 nga 100 pikë të mundshme.
Pavarësisht angazhimeve të shumta, 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm kundër korrupsionit në dekadën e fundit.
Dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50, gjë që tregon se kanë probleme serioze me korrupsionin, ndërsa 27 vende janë në pikën më të ulët ndonjëherë./SHQIP.com