DokuFest me program të veçantë për nder të pavarësisë, në Livestream

Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest do të shfaq një program me tre filma.
Filmat, do të shfaqen për publikun falas, të enjten më 17 shkurt, në platformën Livestream në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00.
“Transmetimi do të nis me filmin e parë I KUJT ËSHTË FLAMURI nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë. Përshkrues, filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve.”, thuhet në njoftimin e DokuFest.

Tutje, programi do të vazhdojë me filmin SANS LE KOSOVO nga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër.

Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.
Ndërsa, programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin THE AGREEMENT nga Karen Stokkendal Poulsen. Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë.”, thuhet tutje në njoftim.
Ky projekt është i mbështetur përmes pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kontribuon edhe më tej në fuqizimin e programit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Kulturës dhe Artit” që mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë.