Lajme

“Do të rikthejmë lekët që ke humbur…”/ Si funksiononte Call Center-i i Taulant Beleraj. Dyshohet për rrjet bashkëpunëtorësh

Detaje të reja kanë dalë nga dëshmitë e personave të arrestuar në lidhje me aktivitetin e dyshuar mashtrues të Call Center-it në Rrugën e Kavajës.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, gjatë dëshmive të tyre, personat e arrestuar kanë deklaruar se paguheshin me shuma relativisht të ulëta dhe me një përqindje të vogël në raport me vlerat që dyshohet se përfitoheshin përmes skemës së mashtrimit.

Call Center i Taulant Beleraj

Ndërkohë, burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se aktiviteti nuk dyshohet se kontrollohej vetëm nga personi i shpallur në kërkim, Taulant Beleraj. Sipas këtyre burimeve, në administrimin e call center-it dyshohet se ishin të përfshirë edhe persona të tjerë, të afërt me të.

Një tjetër element që po hetohet lidhet me mënyrën e funksionimit të skemës. Sipas burimeve të administruara nga hetuesit, operatorët kontaktonin persona që kishin qenë më herët viktima të mashtrimit, duke u prezantuar këtë herë si persona që mund t’i ndihmonin për të rikuperuar paratë e humbura.

Përmes këtij komunikimi, viktimave dyshohet se u premtohej kthimi i shumave të humbura, ndërsa më pas u kërkoheshin pagesa të tjera. Sipas burimeve, përmes kësaj skeme dyshohet se janë përfituar shuma që arrijnë në miliona lekë.

Në ambientet e call center-it, policia gjeti gjithashtu blloqe me të dhëna dhe emra të personave që dyshohet se ishin mashtruar më parë. Pajisjet elektronike të sekuestruara pritet të analizohen për të përcaktuar shtrirjen e aktivitetit, personat e tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë dhe numrin e viktimave të skemës.

©️Shqip.com