Ditëve në vijim pritet takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Ditëve në vijim pritet që të takohen delegacioni kosovar dhe ai serb në Bruksel, ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, përcjell Shqip.com.
Në një konferencë për media, Stano tha se ky takim mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq, do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Presim që ditëve në vijim të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Ky takim vie pas tensionimit të situatës në Veri të Kosovës pas bllokimit të rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Kurse, agjencia e lajmeve “Tanjug” ka raportuar se ky takim pritet që të mbahet të mërkurën.
Që nga 20 shtatori, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë tabelat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë vetëm 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, serbët lokal në komunat veriore të Kosovës, kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Për të mbikëqyrur situatën, tashmë në pikat kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët janë ofenduar disa herë nga protestuesit serbë.
Gjatë dy ditëve të fundit, aeroplanë ushtarakë serbë janë parë duke patrulluar mbi pikat kufitare me Serbinë.
Kurse, KFOR-i ka njoftuar pasditen e së hënës se po e monitorojnë situatën e krijuar në veri dhe po punojnë për një mjedis të sigurt, dhe se është rritur patrullimi në gjithë territorin e veçanërisht në veri./Shqip.com