Lajme

Dita e 15-të e barrikadave në Veri

Sot është dita e 15-të prej kur serbët lokalë vendosën barrikada nëpër rrugë në veri të Mitrovicës, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.

Për heqjen e barrikadave, KFOR-i ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa krerët institucionalë kanë bërë të ditur se largimin e tyre mund ta bëjë edhe Policia e Kosovës.

Ndryshe, që nga 10 dhjetori, serbët në Veri kanë nisur vendosjen e kamionëve dhe makinerive të rënda, të cilat dita-ditës i forcuan.

Heqjen e tyre e kërkuan Amerika e BE, mirëpo KFOR-i ende nuk ka marrë vendim për të intervenuar, ku njëherësh ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, ka thënë  Sveçla.

Ndërsa, dje për situatën e krijuar në veri, ka reaguar komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, ka thënë Ristuccia.

/Shqip.com