Lajme

Disa persona po tentojnë t’i largojnë flamujt në xhaminë e Bellopojës

Imami i xhamisë së Bellopojës në Podujevë ka vendosur flamujt kombëtar me rastin e festës së 28 Nëntorit në institucionin fetar që ai udhëheq.

Por, më veprimin e imamit, Kujtim Hyseni, nuk janë pajtuar një grup i banorëve të këtij fshati dhe të fshatrave përreth.

Imami Hyseni tha për Shqip.com se veprimi i tij ka qenë në koordinim me komunitetin e xhamisë.

“Si Imam i kam vendosu flamujtë në koordinim me komunitetin e xhamisë së fshatit Bellopojë, të gjithë kanë qenë pro dhe të gjithë kanë qenë të lumtur që është vendosur për herë të parë flamuri në minare të xhamisë dhe në xhami. Jo për krejtë kjo është e këndshme sepse dikuj i ka pengu flamuri kuq e zi që për mua është shqetësuese dhe kam pasur reagime të ashpëra prej tyre e që është një grup jo shumë i madh. Janë disa banorë të fshatit Bellopojë, disa banorë të fshatit Dyz dhe një pjesë e Batllavës ku është një grup me ideologji të errët radikale”, tha Hyseni.

Hyseni thotë se ka marrë paralajmërime nga ky grup se flamujt e vendosur do të largohen.

“Shpërlarja e trurit të tyre nga kush është bërë, nuk e di saktësisht, mirëpo kushdo çoftë ai hoxhë që i ka trajnu në këtë formë, ka bërë një gabim të madh. Është shqetësuese dhe prek direkt në ndjenjat tona kombëtare me i pengu ky flamur dikuj. Unë si imam i xhamisë kam vendos me e vendos atë flamur dhe do t’i qëndroj prapa edhe pse ata kanë paralajmëruar se do ta hjekun. Në bised me ata, me kanë thënë ti vendose e na e hjekum dhe e ruajmë atë xhami që mos me u vendos”, ka deklaruar tutje për Shqip.com, imami.

Imami i Xhamisë së Bellopojës tha se tashmë janë njoftuar organet e rendit lidhur me paralajmërimet që ai ka marrë.

I kam njoftuar organet e rendit. Kam biseduar me stacionin policor në Podujevë, me stacionin e Orllanit sepse Bellopoja është në kuadër të Këshillit tëSigurisë në Orllan dhe i kam njoftuar se sonte në namaz të akshamit ose para namazit të Jacisë, ka me tentu dikush me e thy derën e minarës dhe me i hjek flamujt”.

Tutje, Hyseni tha se arsyeja e këtyre veprimeve të këtij grupi është për shkak se ideologjia e tyre thotë se shqiponja në mes të flamurit bie në kundërshtim me praktikat fetare.

/Shqip.com