Dështon zgjedhja e bordit të RTK-së, Konjufca: Deputetët po bojkotojnë qëllimisht

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten ka dështuar të zgjidhet bordi i ri i Radio Televizionit të Kosovës, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se deputetët po e bojkotojnë me qëllim këtë proces.
“Konstatoj që ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm. Nuk ka kushte për t’u votuar bordi i RTK-së, prandaj mendoj se duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, ka thënë ai.
Gjatë kësaj seance është arritur të zgjidhet zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Abedin Azizi është votuar nga 65 deputetë – nga 78 sa ishin gjithsej në sallë.
Ndërsa, kandidati tjetër, Gurakuq Kastrati mori 12 vota.
Ndërkaq, katër pikat e para të listës së rendit të ditës janë larguar nga diskutimi për shkak se kabineti qeveritar nuk është i pranishëm në sallë, pasi janë duke marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë./SHQIP.com