Lajme

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit

Biznesmeni Bedri Rexhepi, i zhdukur që nga 8 prilli

Në mungesë të avokatëve Besnik Berisha dhe Asdren Bytyqi, ka dështuar të mbahet seanca ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të cilët akuzohen për vrasjen e biznismenit, Bedri Rexhepi.

Lidhur me mungesën e avokatit Berisha, kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, konstatoi se i njëjti përmes një parashtrese ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë pasi që ka pasur seanca tjera të caktuara në të njëjtën kohë.

Pas kësaj, palët e dëmtuara Dardane Shyti, Vedat Rexhepi, Teuta Rexhepi dhe Adnan Rexhepi kanë deklaruar se nuk duan të vazhdojnë seancën pa mbrojtësit e tyre.

Ky propozim i palëve të dëmtuara nuk u kundërshtua as nga prokurori i rastit, Armend Hamiti.

“Në këtë rast prokuroria është e pajtimit që e njëjta të shtyhet për një datë tjetër, pasi që u konsultova edhe paraprakisht me palët e dëmtuara”, tha prokurori Hamiti.

Tutje, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Alberina Foniqi dhe Shemsedin Pira, si dhe vetë të akuzuarit Vllasaliu, u pajtuan që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, raporton Betimi për Drejtësi.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua të mbahet më 8 mars 2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Thuhet se ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngulfatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohej se ishin të Rexhepit.

/Shqip.com