Dështon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Sot ka dështuar seanca ndaj kryekuvendarit, Glauk Konjufcës pasi i njëjti dyshohet se ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka penguar persona zyrtarë në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2016.
Arsyeja e dështimit të kësaj seance ka qenë pasiqë Konjufca nuk ka angazhuar avokat mbrojtjes e po ashtu ka thënë se nuk dëshiron që ta bëjë, raporton Betimi për Drejtësi.
Lidhur me këtë, gjykatësja Edita Çanta tha se do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës për t’i caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, pasiqë angazhimi i mbrojtjes është i detyrueshëm.
Ndërkaq, në këtë seancë prezent në cilësinë e dëshmitarit ishte edhe ish-deputeti i PDK-së Adem Grabovci si dhe prokurori i shtetit Besart Mustafa.
Pas njoftimit të gjykatëses për seancën e radhës, Grabovci tha se tjerë janë ata që kanë gjuajtur dhe se asgjë nuk i kujtohet.
“Vallahi gjyqtare kur dush, po nuk është ky që e ka gjujt, tjerë janë ata që kanë gjujt”, tha Grabovci.
Gjykatësja Çanta më pas tha se për këtë mund të deklarohet në seancën e radhës, e që Grabovci vazhdoi me fjalët “Po sen nuk më kujtohet, ndaq thirrem sa herë dush kurgjo nuk m’kujtohet”, duke ju drejtuar të akuzuarit Konjufca se “Unë ty s’tkom pa e Albinin po”.
Ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit Slobodan Petroviq, gjykatësja Edita Çanta konstatoi se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe për këtë do të presë fletëkthesë e më pas do të veprojë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë më 15 mars 2023.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
/Shqip.com