Lajme

Dështimi i takimit Kurti-Vuçiq / Hill thotë se SHBA-ja është pak e dekurajuar

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

“Kanë kaluar shumë muaj gjatë të cilëve nuk kemi parë të ndodhë shumë, kështu që mendoj se kemi disa probleme”. Kështu thotë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill në një intervistë për televizionin “Blic”, duke folur për negociatat e kësaj jave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Duke folur për mungesën e takimit Kurti-Vuçiq Hill u shpreh se SHBA-ja është pak e dekurajuar.

“Jemi pak të dekurajuar aktualisht. Ne me të vërtetë përkrahim dhe vazhdojmë ta përkrahim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit. Ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur, në fakt mënyra e vetme. Mendoj që duhet të ketë një përpjekje të vërtetë për të bërë progres, sepse, e dini, ka shumë muaj që nuk po ndodhë shumë. Kështu që, mendoj se kemi disa problem me këtë. Jam i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Është e rëndësishme”.

Tutje, Hill nga Blici u pyet rreth deklaratave të tij për njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe se a mundet që një gjë e tillë mos jetë kusht për anëtarësimin e kësaj të fundit në BE.

“A mendoni vërtetë që kjo është e mundur”? – u pyet ai.

Sipas Hill, qëllimet e BE-së në procesin e dialogut janë të qarta – normalizimi i marrëdhënieve, që është ligjërisht i obligueshëm.

“Epo, fillimisht, unë vetëm po përsëris qëllimet e Bashkimit Evropian për dialogun. Qëllimet janë shumë të qarta – ata duan normalizim gjithëpërfshirës, normalizim që është ligjërisht i obligueshëm. Në fjalë të tjerë, nuk mund të ketë normalizim të martën, dhe të mërkurën të mos funksionojë. Për këtë arsye, normalizim gjithëpërfshirës ligjërisht të obligueshëm. Është një detyrë e madhe. Mendoj që është shumë e vështirë për ta arritur këtë, siç tregojnë edhe ngjarjet e muajve të fundit. Sa për të ardhmen, të shohim se çka ndodhë. Mendoj që normalizimi gjithëpërfshirës është parakusht për gjithçka. Shpresoj që mund ta shohim të realizohet.” – tha ai.

Kur u pyet nëse diçka mund të ndryshojë, të paktën, që liderët e dy shteteve të ulen të flasin, Hill përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, unë mezi e kuptoj të kaluarën, por besoj që ajo që është në tavolinë ka kuptim. Ka kuptim të ketë një Komunitet të komunave serbe. Ka kuptim të ulen tensionet. Ka me të vërtetë kuptim që Prishtina dhe Beogradi të kenë një marrëdhënie më të mirë se sa tani. Kështu që, ky është qëllimi i duhur, por natyrisht, dialogu është në një situatë të vështirë aktualisht.” – u shpreh ai.

“A mund të flasim për ndonjë dialog konstruktiv, pa formimin e Asociacionit” – u pyet tutje Hill.

“E përsëris, nuk do të doja të hyja në pjesën e punës të Lajçak, por do të doja të shihja përpjekje dhe përpjekje. E di që disa biseda të tilla ekzistojnë në disa baza apo institucione, por mendoj se duhet të ketë më shumë – për ta kuptuar logjikën se pse dialogu me të vërtetë duhet të ketë progres.” – tha ai.

/Shqip.com