Lajme

Dëshmitari i masakrës së Izbicës, të akuzuarin Alidemaj e kam parë në mesin e paramilitarëve serbë

Dëshmitari Hazir Thaqi gjatë dhënies së dëshmisë së tij para Gjykatës Themelore të Prishtinës, në çështjen penale ndaj të akuzuarit Muhamet Alidemaj deklaroi se dy ose tri javë para së të bombardonte NATO e kishte parë të njëjtin në mesin e paramilitarëve serbë.

E kam pa këtë person (I referohet të akuzuarit Muhamet Alidemaj duke e shikuar në sallën e gjykimit) në qat grup edhe e ka pas armën me kontakt druri me automat edhe mendova se ku e kam pa këtë njeri edhe mu kujtua aj qe më ka dal në rrugë në fshatin Kërrnin”, tha dëshmitari Thaqi.

I akuzuari Alidemaj, po akuzohet nga prokuroria special se gjatë periudhës 24 mars dhe deri me 10 qershor kishte shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, duke kontribuar në vrasjen e shqiptarëve në fshatin Izbicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Thaqi tha se e ka identifikuar të akuzuarin Alidemaj në grupin e paramilitareve serbë pasi që e kishte parë edhe në viti 1997 në fshatin Kërrnik kur kishte shkuar me detyra të përcaktuara nga Shtabi i UÇK-së për të zbuluar nëse ka spiun në fshatin Kërrnin.

Tutje dëshmitari Thaqi sqaroi se i akuzuari Alidemja në kohë kur e kishte parë me paramilitarët serbë kishte qenë më i dobët me rroba të paramilitarëve dhe se të njëjtin e kishte parë ballë për ballë.

Shikimin e të akuzuarit Alidemaj dëshmitari Thaqi tha se e ka bërë prej dritares së një shtëpie të një shqiptari dhe se së bashku me të në ato momente ishte me bashkëluftëtarin tjetër të UÇK-së Adem Malushaj.

Në pyetjen e prokurorit të prokurorisë speciale, prokurorit Ilir Morina dëshmitari Thaqi tha  të akuzuarin Alidemaj e kishte lajmëruar në Shtabin e UÇK-së në fshatin Ozdrin se mund te jetë spiun i Serbisë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Alidemaj, avokatit, Millosh Delevic, e ballafaqoi dëshmitarin Thaqi me deklaratën që e kishte dhënë në Polici ku kishte thënë se i akuzuari Alidemaj ka udhëhequr 15 policë serbë ndërkaq, gjatë deklarimit të tij para gjykatës tha se ka qenë në mesin e policëve serbë.

Dëshmitari Thaqi tha se qëndron pranë deklarimeve të dhënë në polici dhe se ndoshta e kanë shënuar gabim hetuesit policor, sepse sipas tij, ka thëne se të akuzuarin Alidmeja e kishte parë në mesin e paramilitarëve serbë.

Pyetje për dëshmitarin Thaqi pati edhe kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili ku dëshmitari Thaqi shtoi se vet nuk e ka parë të akuzuarin Alidemaj duke marrë pjesë në masakrën e Izbicës por se i kishin treguar bashkëluftëtarët se i njëjti ka qenë pjesëmarrës.

Une se kam pa, po m’kan than plot gjinja edhe një person që tani asht i moshës 70 e kurus gati 80, ai thotë se gruja jeme e ka pa”, tha dëshmitari Thaqi.

Paraprakisht në cilësinë e dëshmitari është dëgjuar edhe dëshmitari Haxhi Metaj, i cili tha se të akuzuarin Alidemaj e ka pasur fqinjë dhe se familja e tij kishte qenë skajshmërisht e varfër.

Tutje, i njëjti sqaroi se e kishte parë Alidemajn në një rast pranë një post-blloku të paramilitareve serbë duke punuar për ta.

Dëshmitari Metaj sqaroi se i akuzuari Alidemja e kishte ndërruar emrin në Dragan Shkërrkiq dhe se për këtë gjë ishte informuar nga një fqinje serb.

Ndërkaq, në pyetjen e prokurorit special Morina,dëshmitari Metaj tha se masakrën e Izbicës e kanë kryer serbët Stanoja Milenko, Miletiq, Branko Shkërrkiq, sipas tij, të gjithë nga fshatit Kërrnin, duke shtuar se ka pasur edhe të tjerë por për këta ka informatë.

Gjithashtu dëshmitari Metaj tha se fillimisht i akuzuari Alidemaj ka qenë i shpallur si i zhdukur nga familja e tij por pas luftës diku gjatë vitit 2007-2008 vëllai i të akuzuarit Alidemaj, Izet Alidemaj i kishte treguar se është gjallë dhe se gjendet në Serbi.

Sipas dëshmitari Metaj arsyeja se pse është shpallur i zhdukur i akuzuari Alidemaj nga familja e vet mund të jetë për shkak se familja e tij i kishte kushtet e vështira ekonomike dhe familjet e të zhdukurve u ndihmonin komuna, shoqatat dhe vet bashkëfshatarët.

Me përfundimin e dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët Thaqi dhe Metaj ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor për sot, ndërsa seanca e radhës u caktua më 19 maj kur pritet të dëshmojnë edhe dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjenden në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas dy muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimi për Drejtësi

/Shqip.com