Dërgohet në prokurori raporti për parregullsi në projektet e ujërave të dhënë nga ARPL-ja në pesë vitet e fundit

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se tashmë është dorëzuar në prokurori raporti që auditori ka gjetur parregullsi në projektet në fushën e ujërave që janë dhënë nga ARPL në pesë vitet e fundit.
Manxhuka ka treguar se me iniciativën e ministrit, Liburn Aliu, është krijuar grupi punues që i ka audituar të gjitha projektet.
“Përgjatë këtyre që ishin pjesë e auditimit, janë nënshkruar kontrata për rregullimin e shtretërve të lumenjve në vlerë prej 130 milionë eurosh, ndërkaq janë bërë pagesa rreth 43 milionë euro, por cili prej shtretërve të lumenjve është i rregulluar?! Ky raport ku janë të gjitha gjetjet më pas është dorëzuar në Prokurori”, ka shkruar ai.
E për keqpërdorimet në projektet për fushën e ujërave, Shqip.com, javë më parë ka raportuar se brenda pesë vjetësh ministria në bashkëpunim me komunat investuan në 142 projekte, prej të cilave asnjë nuk i plotësonte kriteret bazë.
Pas një varg ngecjesh, pesë vjet pas, u krijua një grup punues me qëllim të verifikimit të gjendjes së projekteve i cili doli të jetë skandaloz./Shqip.com