Dërgohen në mbajtje pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, viktima ishte raportuar e zhdukur në qershor

Pesë personat të cilët dyshohen se kanë dhunuar 11-vjecaren në Prishtinë janë dërguar në mbajtje.
Siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, kërkesa e tyre për paraburgim ndaj të dyshuarve është aprovuar nga gjykata kompetente.
“Janë dërguar në mbajtje pesë (5) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatën kompetente, me ç ‘rast gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.
Po ashtu, kjo prokurori ka njoftuar se në qershor të këtij viti, viktima ishte raportuar si e zhdukur.
“Ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”.
Ndërsa, thuhet se intervistomi i të miturës është bërë në prezencën e psikologes
“Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet”.
Ndërsa, PTHP-ja ka njoftuar se të gjitha procedurat ku janë të përfshirë të miturit janë konfidenciale të cilat mbrohen edhe me ligj.
Një vajzë e mitur është dhunuar seksualisht nga pesë persona në parkun e lagjes “Arbëria” Prishtinë.
Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në park të kryeqytetit dhe më pas janë bashkangjitur edhe të tjerët.
Për shkak të këtij rasti, më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Lexo edhe:
Jep dorëheqje Samedin Mehmeti, drejtor i Policisë së Kosovës pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Siç ka thënë Sveçla, arsyeja e dorëheqjes së Mehmetit është “për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”./Shqip.com