Lajme

Deputetja e PDK-së e quan lajm të mirë dështimin e përzgjedhjes së anëtarëve në KPM

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka quajtur lajm të mirë dështimin e procesit për të zgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur për media.

Përsëritjen e këtij procesi, Deliu-Kodra e ka cilësuar si “fitore të betejës për transparencë dhe llogaridhënie”, përcjell Shqip.com.

“Që nga fillimi kemi shprehur rezervën tonë ndaj një procesi tërësisht të mbyllur, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe pa media”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deputetja e PDK-së tutje është shprehur se rihapja e konkursit dhe rikthimi në pikën zero i konkursit për KPM “inkurajon të gjithë për një proces fer e demokratik”.

Ndryshe, të hënën ka dështuar zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave. Me 56 vota të pavlefshme për votimin e dy kandidatëve nga komunitet shumicë dhe 52 të pavlefshme për zgjedhjen e një kandidati nga komunitetet pakicë, kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë tre anëtarët e KPM-së. Asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e duhura./SHQIP.com