Deputeti Agron Shehaj largohet nga PD

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka njoftuar largimin nga kjo forcë politike. Vendimin e marrë, Shehaj, e njoftoi në një dalje televizive.
Ai u kujedes të sqaronte se nuk po largohej nga grupimi i Rithemelimit për tek PD-ja e Lulzim Bashës, por foli për një alternativë të re dhe më të besueshme për qytetarët.
“Është e vërtetë që nuk kam qenë aktiv. Nuk ka asnjë hatëmbetje. Nuk ka asnjë zënie. Unë e mendoj ndryshe. Nuk jam dakord me vendimet që janë marrë këto kohë. Ne dolëm me një rezultat nga zgjedhjet lokale ku humbën bashkitë më të mëdha. Ka një mungesë shprese dhe besimi nga ana e votuesve tanë. Ajo që unë propozoj është që ne të japim zgjidhje. Ne nuk duhet të bëjmë sikur nuk shohim. Mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit një alternativë të besueshme. Nuk bëhet fjalë për PD-në e Bashës”, u shpreh deputeti Agron Shehaj.
Shqip.com mëson nga burime pranë ekipit të Shehajt se deputeti ka në planet e tij të krijojë një forcë të re politike.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, Shehaj u zgjodh deputet në Qarkun e Tiranës. Ai rezultoi ndër deputetët më të votuar të listës së PD.
Një mandat më parë, 2017, ai u zgjodh përfaqësues i Qarkut të Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë.
/Shqip.com