Deputetët e Parlamentit Evropian votojnë raportin i cili kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë votuar një raport, përmes së cilit i kërkohet Këshillit të Bashkimit Evropian, që të liberalizohen vizat për Kosovën, përcjell Shqip.com.
Me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, eurodeputët kanë votuar një raport për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor transit për migrantët dhe refugjatët, si dhe vende për pastrim parash dhe trafik armësh.
Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme”, thuhet ndër tjerash në raport.
Ndërkaq, sipas raportit, faktorët kryesorë të këtyre dukurive negative në Ballkanin Perëndimor janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina./SHQIP.com