Deputetët e Listës Serbe dorëzojnë mandatet e tyre në Kuvend

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar shefi i stafit të kryekuvdendarit, Ilir Kërçeli.
“Po, mund të ju konfirmojë se deputetet e Listës Serbe sot i kanë dorëzuar mandatet e tyre. Informacione të tjera nuk kam sepse pak më herët me informoi administrata e Kuvendit. E di se ato tashmë janë dorëzuar në administratë”, tha Kërçeli.
Ndërsa, në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanw dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.
“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.
Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.
Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.
Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.
/Shqip.com