Lajme

Deputetët e AAK-së përkrahin pensionistët: Qeveria t’ju ndajë subvencione

Deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe Besnik Tahiri, kanë kërkuar që Qeveria të realizojë kërkesat e pensionistëve.

Lekaj ka shkruar se këto kërkesa janë të realizueshme.

“Pensionistët kanë kërkesa lehtë të realizueshme nga ana e Qeverisë, të cilat janë: të eliminohet obligimi që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe që Qeveria t’i ndajë subvencione çdo muaj, deri në rritjen e shumës së pensioneve”.

Ai ka thënë se realizimi i këtyre kërkesave duhet të bëhet sa më parë, pasi sipas tij, rritja enorme e çmimeve ka vështirësuar çdo kategori në shoqëri.

“Në nisje të sesionit vjeshtor në Kuvendin e Kosovës, bashkë me kolegun deputet, Besnik Tahiri, në përkrahje të pensionistëve, në aksionin simbolik “Dinjitet për pensionistët”. Kërkesat e tyre janë modeste dhe të realizueshme, të eliminohet obligimi që pensionistët të lajmërohen çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe që Qeveria t’i ndajë subvencione çdo muaj, deri në rritjen e shumës së pensioneve. Rritja enorme e çmimeve ka vështirësuar mirëqenien e çdo kategorie të shoqërisë në vend, andaj këto kërkesa do të mbështeten parezervë nga grupi parlamentar i AAK-së. Realizimi i tyre duhet të bëhet sa më parë”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Ndryshe me moton “Dinjitet për pensionistët” dhjetëra persona janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës.

Ata janë duke kërkuar ndryshimin e ligjit që detyron që ata të paraqiten çdo gjashtë muaj për vazhdimin e pensionit.

Lexo edhe:
Pensionistët protestojnë para Kuvendit: Ndryshoni ligjin

Shqip.com ditë më parë  ka kontaktuar me gazetarin, Xhevdet Pozhari, i cili është edhe ideator i kësaj nisme, i cili ka thënë se qëllimi i fushatës është konkret me kërkesa konkrete të cilat shpreson që Qeveria do i marr parasysh./SHQIP.com