Dënohet me 1 vit burgim me kusht zyrtari i Komunës së Dragashit

Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Avni Nebiu, zyrtar i Komunës së Dragashit, duke e dënuar me një vit burgim me kusht.
Nebiu akuzohej se si zyrtar autorizues i pagesave ka nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shpallja e aktgjykimit, u bë të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Nebiu dënohet me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër të re penale.
Po ashtu, ai obligohet që të paguajë të gjitha shpenzimet procedurale në emër të ekspertizave financiare dhe prezencën e ekspertit në shqyrtimin kryesor.
I njëjti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.
/Shqip.com