Dënohen me nga një vit burgim me kusht ish-deputetët për hedhje të gazit lotsjellës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga një vit burgim me kusht dy ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të cilët akuzoheshin se kishin hedhur gaz lostjellës në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit 2015, përcjell Shqip.com.
Sipas vendimit, ata nuk do ta mbajnë dënimin në fjalë nëse në afat prej dy vites nuk kryejnë ndonjë tjetër vepër penale, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërkaq, Gjykata i ka obliguara edhe me shpenzimet e procedurës secilin veç e veç në shumë prej 50 eurosh dhe për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.
Ndryshe, sipas aktakuzës e cila u ushtrua më 8 janar 2016, Kurteshi dhe Shala akuzoheshin se më 30 nëntor 2015 rreth orës 11:00 në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gaz lotsjellës që e posedonin pa autorizim.
Në aktakuzë thuhet se derisa kryetari i Parlamentit po i njoftonte deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit kishin aktivizuar gazin lotsjellës.
Po ashtu, ata akuzoheshin edhe se kishin penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe deputetët në kryerjen e detyrave zyrtare.
Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohej se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.