Lajme

Deliu-Kodra për Qeverinë Kurti: Ka dështuar të menaxhojë çdo situatë të krijuar

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se po ndikon në përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Sipas saj, qeveria ka dështuar të menaxhojë çdo situatë të krijuar në vend. Madje, thotë se “ka shkaktuar edhe të tjera tensionuese si formë shantazhi për sigurinë e përgjithshme publike”.

“Por, nuk mund të pritet ndryshe nga një Qeveri që fajëson qytetarët për varfërimin e mirëqenies së tyre, siç është rasti më i freskët me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare”, ka shkruar Deliu-Kodra në profilin e saj në Facebook.

“Si thotë një autor turk: Qeveritë e këqija gjithmonë gënjejnë, sepse të tregosh të vërtetën kërkon nderë dhe guxim!”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë me dije se ngritja e çmimeve është vërejtur tek produktet e mishit, qumështit dhe perimeve.

Ilustrim

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në njoftimin e ASK-së./

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga e mërkura janë duke punuar për t’iu ndihmuar qytetarëve pas rritjes së çmimeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai u ka bërë thirrje që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e deklaratave, që sipas tij, e lënë fajtore Qeverinë për rritjen e çmimeve në treg.

Sipas tij, Kosova varet nga importi dhe se nuk kishte se si të mos ndikohej nga rritja e çmimeve.

“Ju ftoj ta ruani qetësinë, po punojmë për një pako masash që do t’i ndërmarrim që do t’iu vijnë në në ndihmë t’i tejkaloni vështirësitë financiare. Nga sot e ditëve në vijim, po punojmë që të kemi pako masash që të kaloni më lehtë këtë gjendje”, ka thënë Kurti./SHQIP.com