Deliu: Deklaratën për rastin “Kumanova” ma keqpërdorën për të më linçuar

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka sqaruar deklaratën e saj dhënë ditë më parë në një nga seancat plenare të Kuvendit, lidhur me të dënuarit në Maqedoninë e Veriut, në rastin e njohur si “Kumanova”.
Në seancën e Kuvendit të enjten, Deliu ka thënë se në asnjë moment nuk i ka cilësuar të dënuarit e këtij rasti si terroristë.
Sipas saj, qëllimshëm kjo deklaratë e saj është keqinterpretuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për ta linçuar.
“Ju deputetë qytetarët e dinë mirë që ju përkas dy familjeve të mëdha patriotike që janë flijuar shumë. Si është e mundur që unë Blerta Deliu Kodra të kem një mendim të tillë ndaj UÇK-së siç kanë provuar të aludojnë disa nga ju”.
“Ky fjalim është vetëm për të shprehur keqardhje për keqkuptimin të cilin dua ta korrektoj. Një keqinterpretim i qëllimshëm nuk mund të më dorëzoje para disa individëve që përmes shpifjeve e sulmeve kanë ushqyer propagandën kundër UÇK-së”.
“Kjo qeveri për shkak të mungesës së rezultateve në qeverisje me keqinterpretimin e deklaratës sime deshën të shpërqendrojnë vëmendjen. Atyre djemve ndjesën më të madhe për keqinterpretimin e qëllimshëm që ju e keni bërë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, në seancën e Kuvendit të premten e 19 nëntorit, Deliu i reagoi ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një debati duke i thënë se kunati i kësaj të fundit është “i akuzuar për terrorizëm” – teksa Haxhiu tha se ai ka qenë i përfshirë në Grupin e Kumanovës.
“Një Ministre që vjen sot këtu dhe lëshohet në shpifje të pavërteta, kunatin e saj e ka të akuzuar për terrorizëm. Imagjinoni, Ministrja e Drejtësisë që vjen sot dhe më flet për sistemin e drejtësisë në Kosovë, e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni, sot mua më jep e më mban leksione për sistemin të drejtësisë”, ishte shprehur Deliu./SHQIP.com