Kulturë

“Dasma shkodrane” çon festën në qytetin e serenatave

Një ngjarje artistiko-kulturore e financuar nga Bashkia Shkodër, në kuadër të projektit “Stenda lëvizëse: Vizito Shkodrën” u zhvillua në Korçë, fundjavën që lamë pas.

Eventi promovues i kulturës dhe turizmit, kësaj here u ndal në qytetin e serenatave.

Kjo është një iniciativë që Shkodrën e çon drejt juglindjes, ku këto dy qytete u bashkuan në një festë të mrekullueshme, me artistë të cilët përcollën “dasmën shkodrane” në Pazarin e Korçës.

“Dasma Shkodrane” u interpretua nga këngëtarë e instrumentistë të brezit të ri me qëllim mbajtjen gjallë të shpirtit artistik të këngëve aq të njohura shkodrane.

Spektakli përfshinte një performancë emocionuese nga formacioni vokal dhe orkestral “ARKestra”, nën drejtimin artistik të profesor Lorenc Radovani.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci theksoi se “Shkodrën dhe Korçën i bashkojnë shumë histori e ngjashmëri. Mikpritja korçare i bëri artistët shkodranë të ndiheshin shumë mirë teksa sollën në një atmosferë feste “Dasmën Shkodrane”.

/Shqip.com