Daçiq vazhdon fushatën për çnjohjen e Kosovës në Afrikë

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq është takuar me kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Eswantinit.
Daçiq ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Eswatinit ka ndodhur si rezultat i komunikimit të pamjaftueshëm me Serbinë.
Njohja nga ky shtet, në mes të Afrikës së Jugut dhe Mozambikut, erdhi në prill të vitit 2010.
“Njohja është rezultat i komunikimit të pamjaftueshëm sepse ne humbëm mundësinë t’u tregojmë shteteve mike se sa me rëndësi është kjo çështje për ne për shkak të marrëdhënieve të pazhvilluara dypalëshe”, ka thënë Daçiq.
Sipas tij, raportet e Serbisë me Eswatinin nuk ishin mjaftueshëm të zhvilluara deri vonë.
Daçiqi ka thënë se Serbisë i intereson të zgjerojë bashkëpunimin me Eswatinin të cilin e ka cilësuar shtet mik të Serbisë.
Disa javë më parë, Serbia zhvilloi në kontinentin e Afrikës një fushatë për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.
Diskutimet mbi njohjet kanë qenë të heshtura që kur në vitin 2020 në shtator Kosova dhe Serbia nënshkruan zotimet para presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për moratorium njëvjeçar, ku Serbia zotohej për të ndalur fushatën e çnjohjeve e Kosova fushatën për pranime në organizata ndërkombëtare. Pikërisht më 4 shtator 2020 kishte ardhur edhe njohja e fundit, ajo nga Izraeli, si pjesë e marrëveshjes. Njohja nga Izraeli u konkretizua në shkurt të vitit 2021.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova njihet nga 117 shtete të botës. /Shqip.com